“Policia nuk t’rujnë gjithë”: I riu në Prishtinë kërcënon babanë e tij, 63-vjeçari thotë se ndihet i rrezikuar

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar babanë e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 63-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, për shkak se siç ka pohuar ai, ndihet i rrezikuar nga veprimet e djalit të tij.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, pas një konflikti me të birin, i riu e ka kërcënuar se do e shohë se kush është ai dhe i ka thënë se Policia nuk do e ruajnë tërë natën.

Pas këtyre fjalëve që e shqetësuan viktimën, 24-vjeçari është larguar nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Nis ndërtimi i xhamisë së 100-të në Prizren