Policia në Mitrovicën e Veriut gjen armë, municion si dhe pajisje të tjera
Në kuadër të detyrave të përcaktuara me ligj, ndër të tjera, Policia e Kosovës ka për obligim edhe asistimin e institucioneve të ndryshme shtetërore.
Më datë 05.08.2025, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), pas kërkesës zyrtare të kësaj agjencie për ofrim të mbështetjes gjatë realizimit të detyrave të tyre.
Gjatë këtij asistimi, në rrugën “Lola Ribar” – Mitrovicë Veri, konkretisht në një banesë e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë) policia ka gjetur dhe sekuestruar:
– 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm
– Municion për pushkë ajrore
– 1 Optik për armë të gjatë
– 1 Kuti për mbushje të municionit
– 1 Fotrollë për pistoletë
– 2 Gaz-maska
– 2 Video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël
– Dokumente të ndryshme
– 1 Foto-aparat
– 1 Lexues (DVD)
– 1 Vule të rrumbullakët
Në vijim të hetimeve Policia ka identifikuar bashkëshorten e personit i cili dyshohet se e kishte uzurpuar pronën e cila banonte në një banesë aty afër. Në bazë të dyshimeve është kontrolle edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar:
– 1 pistoletë,
– 1 tytë e armës së shkurtë,
– 1 fishek, dhe
– 1 armë (e modifikuar, stilo-laps)
Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeç, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas intervistimit e dyshuar është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri në vazhdimësi do të ofrojë asistencë ndaj institucioneve të ndryshme, ndërsa sa i përket rastit, Policia apelon tek të gjithë qytetarët që, nëse kanë informacion për armë ilegale, të raportojnë në linjën 192. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.