Policia në aksion në qytete të ndryshme të vendit, arrestohen disa persona që po i iknin dënimeve me burg
Policia e Kosovës për çdo ditë arrin që të arrestojë persona të cilët janë në kërkim për kryerjen e veprave penale të ndryshme. 02 Press vazhdimisht ka raportuar për të tilla raste, kur personat e kërkuar me urdhëresë të Gjykatave bien në duart e organeve të rendit. Por pavarësisht dënimit, shumë nga ta lirohen pasi që paguajnë obligimet ndaj Gjykatave.
Sinjali mëson se vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot kanë rënë në prangat e Policisë disa persona të kërkuar nga Gjykatat.
Në fshatin Kranidell të Kamenicës u arrestua dje një 27-vjeçar që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Pas arrestimit ai është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
Ndërsa një person që po kërkohej u kap në pikën kufitare në Vërmicë dhe i njëjti shpëtoi nga dënimi me burgim për veprën penale ‘Vjedhje e shërbimeve’, pasi pagoi gjobën me para.
Në kërkim policor ishte edhe një 38-vjeçar nga fshati Ribar i Madh i Lipjanit. Ai u kap gjatë ditës së djeshme në Lipjan dhe i njëjti pas pagesës së obligimit është liruar.
Policia ka arritur që të arrestojë dje edhe një person tjetër që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Klinë. 35-vjeçari që ishte dënuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, ka kryer obligimet ndaj Gjykatës dhe më pas është liruar.
Për t’i shpëtuar burgut edhe një i ri në qytetin e Vushtrrisë që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paguar gjobën që zëvendëson dënimin e tij me burgim.
Po ashtu edhe një burrë tjetër në qytetin e Mitrovicës i cili po kërkohej për shkak se ishte dënuar me burgim, ka paguar gjobën dhe më pas është liruar.
Në pranga ka përfunduar edhe një 23-vjeçar në Viti, i cili ishte dënuar me burgim për veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’. I njëjti pas arrestimit është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
E dënuar me burgim është edhe një 21-vjeçare e cila po i ikte drejtësisë dhe ishte shpallur në kërkim policor tash e një kohë. Ajo ishte dënuar për shkak të kryerjes së veprës penale ‘Mundësim ose detyrim në prostitucion’. Pas arrestimit ajo është dërguar në vuajtje të dënimit në Burgun e Femrave në Lipjan.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia në Obiliq ka rënë në gjurmët e një personi që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë. I njëjti ishte dënuar me burgim dhe pas arrestimit është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.