Policia ndërpret koncertin e Mozzik në Gjilan, kjo është arsyeja

Koncerti i këngëtarit Mozzik pas mesnate në Gjilan nuk ka shkuar siç duhet. Është dashur ndërhyrja e Policisë për ta ndërprerë atmosferën që ishte në një nga diskotekat e qytetit ku po performonte reperi nga Ferizaj.

Sipas përgjigjes së Policisë për KOHËN, koncerti i Mozzikut u ndërpre pasi jashtë diskotekës është gjuajtur me armë zjarri dhe është hedhur një granatë dore – e cila nuk ka shpërthyer.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore, e cila ishte e pashpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Tutje, Policia ka thënë se të gjithë personat që ishin brenda diskotekës janë evakuuar në mënyrë të sigurt.

“Nga ana e zyrtarëve policorë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, ndërsa mjeti i pashpërthyer është menaxhuar dhe asgjësuar pa asnjë pasojë nga njësiti për deminim”, vijon përgjijga e Policisë.

Rasti është regjistruar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa arsyeja pse ka ndodhur ende po hetohet.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është biçiklisti që u godit për vdekje nga kamioni në Prizren