Policia kryen aksion kundër krimit të organizuar: Sekuestrohen armë dhe arrestohen 10 persona
Më herët u raportua për një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të organizuar që u zhvillua sot, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, në disa lokacione në Skenderaj, Viti dhe Klinë, si rezultat i një hetimi për të identifikuar personat e involvuar në aktivitete kriminale.
Policia tashmë e ka konfirmuar aksionin dhe ka bërë me dije se kontrollet janë kryer në 11 lokacione, ku janë sekuestruar armë të ndryshme dhe 10 persona janë shoqëruar në Polici.
“Njësia për Hetimin e Krimit të Organizua bashkë me njësitet mbështetëse policore, ka bërë realizimin e një urdhër-kontrolli, bazuar në hetimet që ishin zhvilluar më herët në lidhje me dyshimet për veprën penale nga Neni 364 i KPRK-së “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Gjatë këtij operacioni policor, sot, me datën 02.11.2023, është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe e një lokali në njëmbëdhjetë (11) lokacione, në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan. Gjatë kontrollit të lokacioneve të lartcekura janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë materiale si në vijim:
• dy (2) pushkë automatike AK 47,
• dy (2) pushkë gjuetie,
• një (1) pistoletë,
• pesë (5) karikator,
• njëqind e gjashtëmbëdhjetë (116) fishekë të kalibrave të ndryshëm etj.
Në polici janë shoqëruar dhjetë (10) persona dhe pas intervistimit të tyre të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.“, ka njoftuar Policia.