Policia i kap tre burra me dy të mitura në veturë në rrugën Prizren – Gjakovë, dyshohet se i dhunuan
Vajzat e mitura po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve. Në shumicën e këtyre rasteve të trishta, të dyshuarit që i keqpërdorin të miturat seksualisht del të jenë persona të moshës madhore. Dyshime për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në rajonin e Prizrenit janë ngritur pasi Policia i kapi mat disa burra me dy të mitura.
Siç merr vesh Sinjali, tre personat e dyshuar fillimisht janë ndalur për kontroll mbrëmë pas mesnate nga Policia në kryqëzimin e rrugën Prizren – Gjakovë.
Në automjetin ku ndodheshin tre të dyshuarit, kanë qenë edhe dy vajza, të moshës së mitur, të cilat nuk kanë pasur mjete identifikuese dhe dyshohet se janë keqpërdorur nga të dyshuarit.
Të njëjtat burime thonë se Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka shoqëruar në stacion policor palët, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarve dhe nisjen e hetimit për t’u zbardhur rrethanat e rastit.
Hetimi është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, ndërsa vajzat janë dërguar për ekzaminim – ndërsa brenda afatit ligjor do të merren edhe veprimet e tjera.