Policia gjen armë e municion në shtëpinë e të riut në Malishevë, thotë se i ka trashëgim nga babai i ndjerë
Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Policia në koordinim me Prokurorinë të mërkurën ka kryer bastisje në një shtëpi në fshatin Berishë të Malishevës, nën dyshimet për posedim të kundërligjshëm të armëve.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit është gjetur një armë zjarri me karikator dhe disa fishekë.
Lidhur me rastin është intervistuar një person i dyshuar, i cili ka pranuar se armët janë në pronësi të tij.
Sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, ato armë i ka trashëguar nga babai i tij i ndjerë dhe të njëjtat i ruan në shtëpinë e dajës së tij i cili jeton jashtë Kosovës.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“