Policia gjen 70 fishekë të kallashnikovit afër një veture në Podujevë, zbulohet identiteti i të arrestuarit
Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.
Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë. Një rast i tillë u zbulua edhe së fundmi në rrugën “Dëshmorët” në Podujevë, ku Policia gjeti një armë dhe dhjetëra fishekë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua për këtë rast dhe përfundoi në ndalim policor është Shqiprim Rrahimi, 33-vjeçar.
Siç mëson Sinjali, Rrahimi bashkë me një person tjetër fillimisht kishin ikur, teksa në afërsi të veturën në të cilën ndodheshin, u gjetën rreth 70 fishekë.
Pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, provat e gjetura janë sekuestruar, teksa pas një periudhe të shkurtër është arrestuar edhe i dyshuari.
Rrahmani është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhër për masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.