Policia e Kosovës arreston një serb të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve të disa mediumeve. I njëjti, dyshohet se e ka kryer sulmin me 29 maj 2023.

Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve.” – thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari, sot është shoqëruar në stacionin policor, ku edhe është intervistuar.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – bëhet e ditur.

Vlen të theksohet, se edhe sot nëntë gazetarë janë sulmuar në veri të vendit, ku disa prej tyre kanë kërkuar edhe tretman mjekësor.

Lexo edhe:  Kishin plan të qëndronin 3 ditë, si iu pamundësua qëndrimi më i gjatë në Hagë prindërve të Hashim Thaçit?