Policia e konfirmon se ka vendosur pika kontrolli të automjeteve në rrugën Mitrovicë- Leposaviq, tregon arsyen

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur pika kontrolli të automjeteve në rrugën magjistrale Mitrovicë- Leposaviq.

Sipas PK-së, kjo është bërë “për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”.

Njoftimi i plotë:

Menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i Policisë së Kosovës dhe përpjekje maksimale janë duke u bërë për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës.

Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.

Policia e Kosovës, konkretisht zyrtaret policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë.

Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe në ofrimin e informatave relevante, si dhe raportimin e rasteve për adresimin e tyre me profesionalizëm dhe në të mirë të gjitha komuniteteve pa dallim.

Lexo edhe:  Serbia e kërkon pështymën e nënës së Hajrizit, s’e lejon ta sheh trupin