Policia e konfirmon incidentin në veri: S’ka të lënduar pas të shtënave nga zyrtarët policorë

U raportua për një incident që ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Leposaviq, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri që dyshohet se janë shkrepur nga dy zyrtarë policorë që po intervenonin në një rast. Incidenti ka ndodhur pasi policët e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë kanë dhënë urdhër që një veturë të ndalojë, shoferi i së cilës më pas tentoi t’i godas.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani e ka konfirmuar rastin  dhe ka bërë me dije se nuk ka të lënduar nga të shtënat me armë, ndërkohë që shtoi se po ndërmerren veprimet e nevojshme që i dyshuari të arrestohet.

Elshani tha se sipas informacioneve të para në veturën që tentoi t’i godas policët dyshohet se ka pasur shtetas të huajë, emigrantë, të cilët janë kapur në flagrancë duke zbritur nga vetura.

Ndryshe, Sinjali raportoi se gjithçka ka ndodhur pas mesnate, kur njësia policore ishte nën vëzhgimin e veturës, që dyshohet se po bartte emigrantë në mënyrë të kundërligjshme.

Intervenimi i zyrtarëve policorë ishte i shpejtë, por shoferi i dyshuar shpërfilli urdhrat e Policisë pasi zbriti nga automjeti emigrantët dhe më pas në tentativë për të ikur, dyshohet se i ka rrezikuar policët.

I njëjti ka tentuar që t’i godas me veturë policët, gjë që i vuri në lëvizje zyrtarët policorë dhe si rezultat dy prej tyre po dyshohet se kanë shtënë me armët zyrtare në drejtim të automjetit.

Zyrtarët policorë që u përfshinë në këtë rast, kanë kërkuar asistencë në vendin e ngjarjes, me ç’rast njësitë përkatëse të Policisë, bashkë me hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.

Lexo edhe:  Çmimet e larta edhe në Durrës, një hamburger 8 euro (FOTO)

Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është identifikuar, ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur detajet në të cilat ka ndodhur rasti.