Policia e kap mat hajnin që kreu vjedhje në një hekurishte në Lipjan, ishte shtrirë në ara për t’u fshehur

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane.

Rastet e vjedhjeve janë nga më të ndryshmet dhe jo çdo herë Policia arrin t’i kap të dyshuarit, raporton Sinjali.

Por ndryshe ka ndodhur me një rast që u raportua dje në fshatin Torinë të Lipjanit, ku Policia ka arritur ta kap në flagrancë një person që kreu vjedhje në një hekurishte.

Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, i dyshuari F.B., është prangosur pasi dyshohet se ka vjedhur metale të ndryshme, por edhe mjete të tjera nga një hekurishte dhe ka tentuar që të largohet pa u vërejtur.

Megjithatë, si rezultat i denoncimit dhe intervenimit të Policisë, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku e kanë kapur në flagrancë të dyshuarin – të shtrirë në ara, tentativë kjo për t’u fshehur.

Pasi nuk arriti të shpëtojë nga prangat e Policisë, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Vjedhje”.

Lexo edhe:  Shpërthen në lot drejtoresha e shkollës ku u vra 15-vjeçari në Gramsh: Ishte fëmijë shembullor