Policia bastis shtëpinë e gjilanasit nën dyshimet për armë ilegale, 28-vjeçari thotë se një kallashnikov e shkatërroi dhe e gjuajti

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në fshatin Ponesh të Gjilanit, ku Policia në koordinim me Prokurorinë ka bastisur shtëpinë e një qytetari.

Sinjali mëson se kontrolli në shtëpinë e të 28-vjeçarit erdhi si pasojë e dyshimeve se i njëjti më parë ishte i denoncuar për raste të dhunës në familje dhe kishte dyshime se posedon armë.

Gjatë bastisjes është gjetur një fotografi me një kallashnikov, për të cilën i dyshuari ka deklaruar se e ka shkatërruar dhe e ka hedhur në pendën e Livoçit.

Njësitë policore kanë arrestuar 28-vjeçarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Publikohen pamje nga vendi ku dyshohet se u vra gruaja shtatzënë