Polici nga Mitrovica në hall me komshiun, po fotografon atë dhe gruan e tij sa herë dalin nga shtëpia

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit dhe fotografimit të paautorizuar ku viktimë është një zyrtar policor, i cili e ka denoncuar fqinjin e tij, gjatë ditës së djeshme.

Burimet nga ky institucion kanë bërë me dije për Sinjalin se sipas informacioneve të para i dyshuar për këtë rast është F.Z., i cili dyshohet se që një kohë po e ngacmon policin dhe familjen e tij, duke i fotografuar sa herë që dalin dhe kthehen në shtëpi. Përballë kësaj situate, zyrtari policor ka vendosur ta raportojë fqinjin e tij, për shqetësimin dhe frikës që ua ka shkaktuar atij dhe familjes.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka ftuar për intervistim personin e dyshuar, i cili ka dhënë dëshmi për motivet që e kanë shtyrë ta fotografojë policin. Bazuar në deklaratën e dhënë para hetuesve policorë, arsyetimi i të dyshuarit ka qenë se ai në vazhdimësi bën fotografi, por s’e ka pasur cak asnjëherë zyrtarin policor. Gjithçka që ka ndodhur sipas tij, ka qenë pa qëllim dhe ndonjë prapavijë.

Të njëjtat burime njoftuan se pas përfundimit të proceduarve policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara” dhe “Ngacmim”.

Lexo edhe:  “Fluturuan” me veturë në oborrin e shkollës lëndohen pesë nxënës, në Qyshk të Pejës!