Policët ende po punojnë me orar nga 12 orë, kritikohet vendimi
Që nga dita e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në katër komunat veriore. Orari i zgjatur prej 12 orësh po shihet se ndikon negativisht në efikasitetin e zyrtarëve policorë, derisa vlerësohet se është bërë edhe për qëllime politike.
Të premten e 13 dhjetorit janë bërë dy javë nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit.
Që nga ajo ditë, prezenca e Policisë së Kosovës është shtuar në katër komunat veriore të vendit.
Sipas informacioneve, zyrtarët policorë të angazhuar nga komunat tjera të Kosovës, po punojnë me orar të zgjatur 12 orësh.
Madje, disa prej zyrtarëve të Njësisë Speciale kanë qëndruar për tetë ditë rresht në ofrimin e sigurisë në lokacione të ndryshme.
Por ky angazhim po konsiderohet se vështirëson punën e tyre dhe efikasitetin gjatë kryerjes së detyrave.
“Brenda për brenda menaxhmentit të Policisë dhe brenda për brenda Policisë së Kosovës të gjendet një zgjedhje në mënyrë që të mos rëndohen pjesëtarët e Policisë fizikisht edhe psiqikisht për arsye se nëse ata rëndohen fizikisht dhe psiqikisht do të jetë më vështirë t’i kryejnë detyrat në veri të Mitroviës prandaj një lirim i tillë fizik dhe psiqik do të mundësojë që ata të jenë më të freskët në kryerjen e detyrave të cilat dalin nga Ligji për Policinë dhe rregullativa e Policisë”, tha nënkoloneli në pension, Refki Morina.
Ish-eprori i Policisë ka edhe një propozim se si të lehtësohet puna e efektivëve policorë në veri.
“Unë mendoj se duhet të gjendet një mundësi e tillë që edhe këta zyrtarë policorë të cilët janë larg me një orë, një orë e gjysmë ose dy orë të zëvendësohen me zyrtarë policorë që janë më afër rajonit të Mitrovicës në mënyrë që mos të rëndohen edhe fizikisht edhe psiqikisht pjesëtarë të Policisë që duhet të qarkullojnë në një drejtim dy orë dhe në një drejtim tjetër kthesë dy orë, kështu që katër orë ata janë vazhdimisht në komunikacion”, tha ai.
Kurse, koloneli në pension i FSK-së, po vlerëson se me këto angazhime po instrumentalizohet Policia e Kosovës nga pushteti aktual.
“Ajo ndërhyrje në skenën e krimit për disa avantazhe edhe përfitime politike në kuptimin e brendshëm është një lloj abuzimi dhe keqpërdorimi edhe në kuptimin që po shkelin ligjin dhe procedurat për këso rastesh. Kështu që është e dëmshme për institucionet e sigurisë sepse ato demotivohen me akte të tilla”, tha koloneli në pension, Hysen Gecaj.
Prezencë të shtuar, Policia e Kosovës ka pasur edhe nga sulmi i 23 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.