“Po refuzohet puna në Kosovë, më mirë po ua qet me ndihma sociale”
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vehbi Mujku ka thëne se ka mungesë të informacioneve sa i përket ofertës së Qeverisë për një të punësuar për familje.
“Njerëzit kanë marrë vesh përmes rrugëve që ata që janë me skema sociale do të marrin nga 300 euro për gjashtë muaj derisa qeveria t’ua gjejë një punë”, tha ai në “Debat Plus”, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se Kosova ka krijuar skema të shumta sociale duke krijuar shumë vartës të shtetit.
“Janë rreth 400 mijë banorë me skema të ndryshme sociale. Në një Kosovë të vogël me një milion e 500 mijë banorë, duhet të paguajnë taksa që të mbajnë këta 400 mijë persona të skemave të ndryshme sociale, është diçka e rëndë”.
Drejtori i Qendrës për punë sociale në Komunën e Prishtinës thotë se zyra e punësimit ofron shumë vende pune apo kurse për aftësim por s’ka të interesuar.
“Vjen me marrë ndihmën sociale një person e qet një thes miell 25 kg në krah, në anën tjetër e merr një pako vaj 25 kg, që bëjnë 50 kg. Një person që mund t’i bartë 50 kg është i aftë për punë. Ka refuzim të madh të punës, i kemi ofru punë deri në 350 euro punë kanë refuzu. Duhet ta disiplinojmë skemën sociale, nuk duhet të refuzohet puna. Le të mësohen të punojnë”, ka deklaruar Mujku.
“Kemi bërë gabime me skemat sociale. Skemat sociale shkojnë nga 70-250 euro. Gjatë pandemisë këto skema janë dyfishuar. Ne e kemi shumë të vështirë ta stimulojmë një familje të punojë për 300 euro, kur ai familjar duke qëndruar në shtëpi i merr 200 euro ndihmë sociale, nuk paguan rrymë, shëndetësi e shumë tatime. Ne kemi krijuar familje dembele”, deklaroi ndër të tjera Mujku.