“Po punon me serbët, ta mushi barkun barut” – Vushtrriasi kërcënon avokatin që përfaqëson një serbe për pronën e saj

Telashet pronësore vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për shkak të tyre shumë persona përfshihen në ngatërresa mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht.

Në telashe ka përfunduar edhe një avokat kosovar, i cili është i autorizuar që të përfaqësojë një serbe për pronën e saj në Vushtrri.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se për shkak të pakënaqësisë me një vendim të lëshuar nga Gjykata, një 60-vjeçar i është drejtuar avokatit duke e pyetur se përse punon me serbët dhe më pas e ka kërcënuar se ia mbush barkun barut.

Përballë kësaj situate, 44-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe i njëjti është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Kanosje’.

 

Lexo edhe:  Konfiskohen mbi 1 e 700 monedha metalike 2-she false, u deponuan në bankomatet e bankës TEB