Plas sherri për borxh në Prishtinë: 61-vjeçari sulmon fizikisht viktimën, e kërcënon edhe me thikë
Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.
Në sherr për borxh kanë përfunduar dje edhe dy persona në Prishtinë, ku situata ka eskaluar në dhunë fizike.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije 61-vjeçari dyshohet se ka shkuar në vendin e punës të viktimës dhe të njëjtin e ka sulmuar fizikisht duke e goditur më grusht. Madje ai dyshohet se ka ekspozuar një thikë para 38-vjeçarit.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim.
I dyshuari ka mohuar të ketë sulmuar viktimën, teksa është sekuestruar arma të cilën ai e kishte në posedim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Kanosje’.