Plagosja e 50-vjeçarit në Drenas: Ky është i dyshuari që u arrestua, tjetri akoma në arrati

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një rast ta tentim vrasjes që ka ndodhur në një pyll në fshatin Baicë të Drenasit, ky një 50-vjeçar është qëlluar me armë zjarri nga disa të rinj, të cilët dyshohen se edhe e rrahën. Njëri nga të dyshuarit tashmë ka rënë në prangat e Policisë dhe Sinjali ka mësuar identitetin e tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se njëri nga dy të rinjtë që dyshohet për këtë rast është Qlirim Behrami, 22-vjeçar, i cili është arrestuar dhe shoqëruar mbrëmë në stacion policor.

Ai bashkë me shokun e tij, të dyshuarin tjetër L.Z., i cili ndodhet akoma në arrati, po dyshohen për tentim vrasjen e 50-vjeçarit.

Ndryshe, Sinjali raportoi mbrëmë se viktima ishte dërguar fillimisht në QKMF-në e Drenasit e më pas në QKUK, ku u pranua me plagë në kokë, që i pësoi pasi u gjuajt me armë nga të dyshuarit.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima i mori dy të rinjtë me veturën e tij dhe vazhduan për në pyll, ku dyshohet se u sulmua fizikisht për motive ende të panjohura.

Për të mos mbaruar me kaq, të dyshuarit ia morën veturën 50-vjeçarit dhe u larguan në një drejtim të panjohur.

Ajo që dihet deri më tani është se Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti, ndërkohë që i dyshuari i dytë ende s’është kapur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Lexo edhe:  “Po të njoftoj për një skandal që s’ka ndodhë në histori të Kosovës”, Milaim Zeka i çon letër Kurtit