Petkoviq pas takimit me Sorensen: Asociacioni temë kyçe e dialogut, s’diskutojmë për Preshevën
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se gjatë takimit me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka ritheksuar se prioritet në dialog duhet të jetë normalizimi i marrëdhënieve dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Petkoviq ka kritikuar qëndrimin e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, për përfshirjen e çështjes së Preshevës dhe Bujanocit në kuadër të bisedimeve me Serbinë, duke e cilësuar këtë si të papranueshme për palën serbe.
“Dje, mund të dëgjonim që Bislimi ka hapur disa çështje të pretenduara për Preshevën dhe Bujanocin. Këto nuk janë tema të dialogut. E dimë se tema e dialogut është – çështja e Kosovës, pozicioni i popullit serb, formimi i Asociacionit dhe se çfarë mund të bëjmë për të arritur paqe e stabilitet në Kosovë nëpërmjet zgjidhjeve të kompromisit, që janë të nevojshme për jetesën e serbëve dhe të shqiptarëve”, ka deklaruar Petkoviq për media pas takimit të zhvilluar të martën në Bruksel.
Ai tha gjithashtu se e ka informuar Sorensenin për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së fokusit në temat që, sipas Serbisë, janë thelbësore për procesin e dialogut.
Kujtojmë se një ditë më parë në Bruksel, emisari evropian Sorensen zhvilloi takim edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili konfirmoi se takimi trepalësh nuk u mbajt për shkak të problemeve në udhëtim të delegacionit serb