Personi që u gjet i vdekur në oborrin e kompanisë ‘Beshi-Com’ ishte 54-vjeçar, dyshohet se pësoi arrest kardiak
Të shtunën në mesditë, në oborrin e kompanisë “Beshi-Com”në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, është gjetur pa shenja jete një burrë, i cili dyshohet se ka pësuar arrest kardiak, derisa po ecte.
I ndjeri, ishte 54-vjeçar dhe nuk dihet nëse ka pasur më parë probleme shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se fillimisht kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi viktima ishte gjetur pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar që viktima ka ndërruar jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë deklaratat e punëtorëve të kompanisë, si dhe pamjet nga kamerat e sigurisë që do të ndihmojnë për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.