Persona të maskuar e të armatosur hyjnë në oborrin e një shtëpie në Vajnik të Skenderajt, pronari kërkon ndihmën e Policisë
Një ngjarje të rëndë ka ndodhur pas mesnate në fshatin Vajnik të Skenderajt, ku një banor është përballur me dy persona të maskuar e të armatosur në oborrin e shtëpisë së tij.
Ngjarja është raportuar rreth orës 01:00, kur viktima Z.K., rreth 66-vjeçar ka dëgjuar të shtëna armësh pranë shtëpisë së tij. Sapo ka dalë jashtë, ai ka parë dy persona të maskuar në oborr dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë patrulluese dhe hetuesit, të cilët kanë gjetur pesë gëzhoja të armës – një brenda oborrit dhe katër jashtë rrethojës. Megjithatë, nuk dihet nëse gëzhojat lidhen drejtpërdrejt me këtë rast.
Aktualisht nuk ka persona të dyshuar, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar si “Përdorim i armës” dhe mbetet nën hetime.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri nga ky rast.