Përshkallëzohet konflikti mes motrës dhe vëllait në Hajvali – përfundon me thikë dhe dhunë fizike
Një rast shqetësues i dhunës në familje është raportuar të hënën pasdite në lagjen “Fitorja” në Hajvali, ku një përleshje mes motrës dhe vëllait ka degraduar deri në përdorim të thikës dhe dhunës fizike.
Ngjarja ka ndodhur më 09 qershor 2025, rreth orës 16:30, dhe sipas burimeve të Sinjalit, palët e përfshira janë K.V. dhe M.V. – motër dhe vëlla.
Të dyshuarit kanë deklaruar para hetuesve se konflikti kishte shpërthyer kur motra kishte tentuar t’i dëmtonte veturën vëllait, e më pas kishte marrë një thikë nga kuzhina. Në përpjekje për ta ndalur, vëllai ia kishte marrë thikën dhe më pas e kishte goditur dy herë me shuplakë në fytyrë.
Si dëshmitare në këtë rast është intervistuar nëna e tyre, M.V., e cila ka konfirmuar ngjarjen.
Me urdhër të prokurores kujdestare për dhunë në familje, rasti është iniciuar në procedurë të rregullt si “Dhuna në familje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota.