Përleshje në lokalin “Road House” në Gjakovë: Arrestohet pronari që dyshohet se rrahu brutalisht një 25-vjeçar

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur të premten në kafeterinë “Road House” në Gjakovë,  ku dy persona janë përfshirë në një konflikt verbal që eskaloi në dhunë brutale, ku njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është pronari i lokalit, Egzon Ukmata, 34-vjeçar i cili po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një 25-vjeçar, duke i shkaktuar lëndimë të rënda.

Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe më pas është arrestuar i dyshuari.

I riu që pësoi plagë të rënda u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkak të një mosmarrëveshje në një kafiteri e kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar dhe i kishte shkaktuar lëndime. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Gazeta Sinjali ka kontaktuar në numrin e telefonit të lokalit “Road House” por numri nuk ka pas çasje në rrjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ky është motivi që dyshohet se çoi në sulmin fizik ndaj Gazmend Muhaxherit