Përleshje në Deçan: Vëllezërit rrahen për një rrugë, babai i ndihmon njërit ta bëjë llom tjetrin
Pothuajse çdo ditë ndodhin dhjetëra raste të dhunës në familjet në Kosovë, por jo të gjitha denoncohen në Polici. Në shumicën prej tyre gratë janë viktima, por shpesh ndodh që edhe familjarët e tjerë, të përfundojnë të prangosur si pasojë e përleshjeve.
Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Maznik të Deçanit, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Sinjali kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë të përfshirë dy djem dhe babai i tyre, që u përleshën dhe përfunduan në ndalim policor.
Sipas informacioneve të para fillimisht janë kapur dy vëllezërit, të cilët u rrahën me njëri-tjetrin për shkak të rrugës së fshatit ku ata jetojnë. Derisa ata ishin duke u përleshur, ka ndërhyrë babai i tyre dhe jo për t’i ndarë, por për ta tensionuar më shumë situatën.
Ai po dyshohet se i ka ndihmuar njërit prej djemve të tij për ta sulmuar tjetrin, deri në atë pikë sa u bënë për spital dhe u detyruan të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Pasi dikush lajmëroi Policinë, një patrullë doli në vendin e ngjarjes për t’i shoqëruar të dyshuarit në stacion policor, ku janë intervistuar në lidhje me rastin.
Sinjali mëson se ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orëve, nën dyshimet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor dhe sulm”.