Përleshje mes tre të rinjve në Prishtinë, 19-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në spital

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Për një rast të tillë, janë arrestuar dy të mitur në Prishtinë.

Sinjali mëson se mbrëmjen e së martës, dy të miturit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një 19-vjeçar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime serioze.

Viktima është dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë që njëri prej të dyshuarve është arrestuar menjëherë.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të kapet edhe i dyshuari i dytë, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mosdhënie e ndihmës’.

Lexo edhe:  Gjendet pa shenja jete një grua në Shirokë të Suharekës