Përleshje mes tre të miturve në Prishtinë, theret me thikë 17-vjeçari

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet e shumta, ku shpeshherë përdoren edhe mjete të forta, të mprehta e armë zjarri. Si pasojë e kësaj, në shumë raste viktimat kanë marrë edhe plagë fatale për jetën e tyre.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Remzi Salihu’ në Prishtinë, ku si pasojë e një përleshjeje, ka mbetur i therur me thikë një 17-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës bëjnë me dije se viktima është dërguar atje me tri plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të miturit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili po ashtu është i moshës së mitur.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa dëshmitë e tyre kanë dhënë edhe dy viktimat.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Kroacia mirëpret kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE