Përleshja për pagesa e vëllezërve Bytyqi në Prizren: Kapet edhe i dyshuari tjetër që qëndroi në arrati

Konfliktet që përcillen me kanosje serioze e përleshje brutale për shkak të të hollave janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Paratë jo rrallëherë janë bërë mollë sherri mes të rinjve, që për pasojë janë futur në telashe me Policinë. Sinjali ka raportuar javën e kaluar për një rast të tillë që ndodhi në rrugën Traniziti i ri në Prizren, ku dy vëllezërit Bytyqi u përfshinë në një përleshje.

Njëri prej tyre, Lulzimi kishte rënë në prangat e Policisë, por vëllai i tij, Kushtrimi kishte arritur të ikë. Ai e shijoi lirinë deri më sot, kur Policia arriti të sigurojë prezencën e tij.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pas intervistimit, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera brenda afatit ligjor.

Ata po dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një 37-vjeçar, më 23 mars, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur me të, lidhur me disa pagesa. Pasi problemin nuk arritën ta zgjidhnin, vëllezërit Bytyqi dyshohet se vendosën t’i qërojnë hesapet me dajak, por u futën në sherr.

Posa rasti ishte raportuar, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që viktima ishte dërguar në Emergjencën e Prizrenit, ku kishte marrë trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Vetaksident në autostradë: Gruaja vdes, shoferi dhe fëmijët me lëndime serioze