Për një muaj dyshohet se kreu 12 vjedhje, zbulohet identiteti i të riut që u arrestua në Fushë Kosovë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë. Për një rast të tillë ka rënë në prangat e Policisë, një person në Fushë Kosovë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Valon Berisha, 20-vjeçar.

Berisha është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

I riu ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe Sinjali mëson se ai është përfshirë në 12 raste të vjedhjes në një periudhë kohore për pak më shumë se një muaj.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Lidhur me disa raste te vjedhjeve, me 05.01.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë në veri, i dyshuari gjuan me kallashnikov dhe ‘zhduket’