Për herë të parë në Kosovë, QKUK trajton me sukses 7 pacientë me probleme në zemër
ShSKUK ka bërë të ditur se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar me sukses 7 pacientë të rritur me defekte në septumin interatrial, duke përfshirë 4 raste të ASD (Defekti i Septumit Atrial), që është një anomali strukturore në zemër ku ekziston një vrimë ose defekt në murin (septumin) që ndan dy dhomat e sipërme të zemrës, dhe 3 raste të PFO-(Patent Foramen Ovale) i cili është një defekt i vogël në zemër që ndodh te një vrimë natyrale midis atriumit të djathtë dhe atij të majtë.
Me anë të një postimi në Facebook të ShSKUK-së bëhet e ditur se këto procedura u kryen për herë të parë në Kosovë, nga një ekip mjekësor vendor i përbërë nga Dr. Daut Gorani, Dr. Denis Zijabegu dhe Dr. Aurora Bakalli, nën mbikëqyrjen e profesorit italian, Prof. Dr. Eustahio Oracio.
“Me suksesin e këtyre procedurave, trajtimi i sëmundjeve strukturale të zemrës tashmë do të jetë i mundur në QKUK, duke përmirësuar qasjen dhe kujdesin për pacientët me këto patologji. Kjo ishte seanca e dytë, ndërsa në seancën e parë u kryen gjithashtu 4 procedura të suksesshme, duke çuar numrin total të pacientëve të trajtuar me defekte të septumit interatrial në 11”.
“Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kardiologjisë publike në Kosovë, drejt shërbimeve të avancuara mjekësore brenda vendit”, thuhet tutje në njoftim.