“Për 12 orë punë, na japin bukë e pashtetë”, punëtorët e KEK-ut protestojnë të premten për rritje pagash

Punëtorët e KEK-ut do të protestojnë të premten para zyreve qendrore të KEK-ut në Prishtinë, me kërkesën kryesore, që t’u rriten pagat. Atyre iu ishin premtuar rritja e pagave në fund të muajit prill, mirëpo, në mbledhjen e fundit të bordit të KEK-ut, nuk u mor një vendim i tillë, shkruan Gazeta Enigma.

Para një muaji, Sindikata e Re e KEK-ut, protestoi për të njëjtën kauzë ku pas protestës u paralajmërua edhe mundësia e grevës. Pas negocimeve me bordin drejtues të KEK-ut, ata i kishin premtuar se do të shqyrtojnë dhe do të punojnë për rritje pagash për punëtorët.

Pas zhvillimeve të fundit, dhe arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, bordi drejtues në mbledhjen e fundit, mori vetëm vendimin për t’ia vazhduar punën kryeshefit të tyre, e asgjë nuk u fol për rritjen e pagave për punëtoret, siç ishte premtuar.

Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut, tha për Gazetën Enigma se KEK është e vetmja ndërmarrje e cila nuk ka përfituar prej ligjit për paga, pavarësisht punës “heroike” që bëjnë ata.

“Që prej implementimi të ligjit për paga, ndërmarrja e KEK është e vetmja ndërmarrje e cila nuk ka përfituar nga ky ligj. Për kundër përformancës historike që e quajnë vet menaxhmenti, kanë marrë profitet prej 107 milionë eurove, që vet ata i quajnë prej heronjve të KEK-ut, por kështu nuk respektohen. Ne nuk na duhen emrat e përvecëm e as lavdatat, por na duhet një standard i jetës më i mirë.” tha Llumnica.

Tutje, ai ankohet se nuk ka vlerësim të riskut në punë, e që në ambientet e punëtorisë së KEK-ut është rrezikshmëria e lartë.

“Përgjatë gjithë këtyre sfidave dhe mungesës së madhe të punëtoreve, si angazhimi dhe prodhimi historik, ne kërkojmë rritje pagash. Prej vitit 2018 nuk ka pasur rritje pagash, bile ka pasur përgjysmim pagash. Ne gjithashtu nuk kemi vlerësimin e rriskut të rrezikut, si kompani që ka rrezikun më të madh për shëndetin.” shtoi ai.

Lexo edhe:  Pamje: Digjet një veturë në mes të rrugës në Komoran

Llumnica tregon se shujta ditore që punëtorët e KEK-ut hajnë, kushton 1,74 cent, e që sipas tij është shifër ‘hajgare’

“Prej gjitha këtyre, ne kemi një shujtë të ushqimit prej 1,74 cent, që është vetëm për të bërë hajgare.” përfundoi ai.

Ndërkohë, i pakënaqur me pagat dhe kushtet e punës u shpreh edhe Selatin Sadiku, nënkryetar  Sindikatës së Re  të KEK-ut.

“Pakënaqësitë e punëtorëve janë të shumta, si p.sh shujta ditore e jona është 1,74 cent. Punëtorët punojnë 12 orë pune, me një bukë e një pashtetë. Kjo është turpëruese për një korporatë e cila I ka mbi 250 milionë euro mjete në llogari. Puna është me rrezikshmëri të lartë, punëtorët nuk pajisen me mjete mbrojtëse të punës, dhe shumicën e kohës detyrohen të rrezikojnë të punojnë pa ato, kur dihet që vlerësimi i rrezikut të punës në KEK, nuk është miratuar ende.” tha ai në një intervistë për Enigmën.

Sadiku thotë se ka mungesë të madhe të punëtorëve, dhe se ata detyrohen të mbulojnë edhe punë të tjera si pasojë e mungesës.

“Në KEK ka mungesë prej 2 mijë punëtorësh, andaj ata detyrohen të mbulojnë edhe punë të tjera, të cilat nuk mbulohen shkak i mungesës së punëtorëve. Vetëm këtë vit, KEK-ut I shkojnë në penzionim, 274 punëtorë, andaj duhen 200 punëtorë urgjentisht të punësohen në KEK. Ata fillimisht duhet trajnuar pastaj të futen në punë praktike.” shtoi ai.

Sadikun e shqetëson edhe fakti se punëtorët e KEK-ut po marrin sëmundje kancerogjene nga vendi I punës, si pasojë e punimeve në gazra kancerogjen.

“Kemi 7-8 raste që në KEK punëtorët kanë marrë sëmundje kancerogjene, që në si Sindikatë dyshojmë se i kanë marrë në vendin e punës. “ tha Sadiku për Gazetën Enigma.

Lexo edhe:  E rëndë: Pamje nga aksidenti i frikshëm në Lipjan, qytetari që u godit nga kamioni u la për gati 1 orë në rrugë

Punëtorët e KEK-ut po kërkojnë rritje page prej 200 eurosh, pasi standardi jetësor është shtrenjtuar së fundmi në Kosovë.

“Rroga mesatare në KEK është 627 euro, ne kërkojmë rritje prej 200 euro, në mënyrë që edhe ne si punëtorë të KEK-ut të jetojmë dinjitetshëm sipas standardeve që janë krijuar tani.” përfundoi ai./ Gazeta Enigma/