Pensionet dalin sonte, flet Drejtori i Pensioneve në Ministrinë e Financave

Një njoftim të hidhur për pensionistët e dha pasditen e sotme Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ku tha se pagesa nuk do të ekzekutohet sot por më 18 tetor. E arsyeja e shtyrjes sipas kësaj ministrie është procesi shtesë për verifikimin e pensionistëve për aplikimin e 100 eurove.

Por siç duket këto pagesa do të kryhen sot dhe jo më larg se pas një ore.

Kështu ka deklaruar për Sinjalin, Skënder Asllani zëvendësdrejtor i Departamentit të Pensioneve në këtë ministri.

“Pensionistët mund ta marrin pagesën sot, mund të ndodh të ju dalin me 1 orë vonesë deri të bëhet transaksioni por sido që të jetë pas një ore ose një orë e gjysmë mund t’i tërheqin paratë.

Vonesa ka ndodhur për shkak se është dashtë me i largu nga pagesa shtresën e përfituesve të pensioneve që janë në marrëdhënie pune, kanë qenë në pyetje 3 mijë e 200 ose 300 persona”, tha ai.

Kurse, njoftimi i MFPT-së ai tha se është i paqartë.

“Ajo (ministria) ka thënë që nesër por ne jemi ndalë deri tani duke punuar vetëm e vetëm që të dalin pensionet sot. Sa i përket proceseve të inkorporimit në program të BQK-së pagesave dhe shtesave, gjithçka është kryer” u shpreh Asllani.

Sipas tij, janë afër 240 mijë përfitues të pensioneve.

Pagesa prej 100 euro shtesë është marrë në mbledhjen e 100-të të Qeverisë së Kosovës.

Kjo shtesë, vjen sipas vendimit të Qeverisë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin.

Lexo edhe:  Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” – 4 të lënduar