Pejani ushtron dhunë psikike dhe tenton ta rrah gruan, ia vë flakën rrobave të saj

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në orët e mëngjesit, në një familje në rrugën “Jah Kabashi” në Pejë, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 37-vjeçare.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për motive akoma të panjohura, i dyshuari  F.N., po dyshohet se fillimisht ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas së tij, të cilën ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht por nuk ka arritur.

Për të mos eskaluar situata mes tyre, gruaja ka vendosur të largohet nga shtëpia dhe të niset për në punë. Por asgjë nuk mbaroi aty, pasi burri i saj në shenjë revolte, ia ka marrë disa rroba asaj, të cilave ua ka vënë flakën.

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj për atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.

Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 26 aktakuza