Pejani nuk e lë rehat ish të dashurën e tij, denoncohet sërish në Polici për ngacmim e kanosje

Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë dhe zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga partnerët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në Pejë, Prokuroria ka nisur hetimet, me ç’rast një person është dërguar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një 30-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është në hall me dhunën e kanosjet nga i ish i dashuri i saj. Viktima e ka denoncuar të dyshuarin për të dytën herë brenda pak muajve, pasi i njëjti ka vazhduar me avazin e njëjtë, duke e shqetësuar.

Sinjali mëson personi i dyshuar M.S., e ka kërcënuar ish të dashurën përmes telefonit dhe për pasojë e ka frikësuar, për çka ajo u detyrua sërish ta raportojë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratë për veprën për të cilën dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘’Kanosje” dhe “Ngacmim”

Lexo edhe:  Aksion kundër prostitucionit: Kapet grupi i dyshuar në Lipjan, një grua dhe dy burra përfundojnë në ndalim