Pejani e bën nënën për spital, e rrah me grushte pasi nuk kishte para për t’i dhënë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Policia dje ka intervenuar edhe në një familje në rrugën ‘Emrush Miftari” në Pejë, pasi një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 48-vjeçarja ka raportuar se i biri fillimisht i kishte kërkuar para e më pas ka ushtruar presion ndaj saj e madje ka eskaluar edhe në dhunë fizike.

Për të mos mbaruar me kaq, pasi viktima nuk i ka dhënë të holla të birit, i dyshuari e ka rrahur me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka u dërgua në spital.

Përballë kësaj situate, viktima vendosi ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E rëndë: Gjendet pa shenja jete një person në Ferizaj, Policia nis hetimet