Pejani deklaron rrejshëm se s’ka gjuajtur në aheng, Policia zbulon videon ku shihet duke ia krisur armës

Javëve të fundit janë shtuar rastet e të shtënave me armë për shkak të ahengjeve që mbahen në këtë sezon në Kosovë. Kjo dukuri e kundërligjshme dhe mjaft e rrezikshme siç duket nuk po ka të ndalur. Edhe pse po i zë sherri me ligjin, kosovarët po vazhdojnë të festojnë me armë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Pejë, para disa ditësh, kur në Polici u denoncua se janë dëgjuar të shtëna në një aheng. I dyshuari fillimisht kishte mohuar të ketë gjuajtur, duke deklaruar rrejshëm, por u zbulua pas një kohe të shkurtër, raporton Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për G.R., të cilin e zuri sherri me Policinë pasi gjuajti me armë në një aheng më 22 korrik. Fillimisht s’u gjetën prova dhe kjo u shfrytëzua nga i dyshuari, i cili deklaroi se nuk e ka përdorur armën.

Gjatë hetimeve, Policia siguroi një video që dëshmonte të kundërtën. Sipas informatave të para, në ato pamje shihet se i dyshuari kishte shkrepur disa herë me armë në aheng. Kjo ka bërë që Policia të aktivizohet dhe të kryej bastisje në shtëpinë e të dyshuarit. Aty, Sinjali mëson se i është gjetur një armë me leje dhe mbi 300 fishekë, që iu konfiskuan.

I riu që po dyshohet për këtë rast është intervistuar më pas në Polici, ku është përballur me provat e reja të mbledhura kundër tij, me ç’rast e ka pranuar se ka gjuajtur me armë.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohen rastet për deklarim të rremë dhe përdorim të armës.

Lexo edhe:  Agim Bahtiri: Nëse Bedri Hamza i ka paguar 6 milion borgje, un ja fali gjithë pasurinë dhe nuk vijë ma kurrë në Kosovë