PDK: Mostrat e Astrit Deharit humbën në duar e Albulena Haxhiut
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, pas humbjes së mostrave të rastit “Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ai tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur në këtë rast.
“PDK ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratën e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin “Dehari”, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e Ministres Albulena Haxhiu, e cila e drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe Instituti”.
“Kur zhduken mostrat, dëmtohen provat, dëmtohet drejtësia dhe pamundësohet zbardhja e rastit. PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si përgjegjësja kryesore dhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë, pranë të cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore”, është shprehur Gruda.
Tutje, sipas Grudës, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur asnjëherë qëllim që ta zbardhë të vërtetën e rastit “Dehari”, por ta përdorë atë për beteja politike.
“Fatkeqësisht, përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjithë mekanizmat shtetëror në duart e tyre për ta zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Pas më shumë se dy viteve qeverisje dhe zero avancimi në rastin “Dehari”, ne dyshojmë që Ministrja Haxhiu duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, por edhe në pamundësi të sigurimit të fakteve të pamohueshme për të dëshmuar një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon me prova dhe situatën”, theksoi Gruda.