Pati mosmarrëveshje me vajzën e saj në shkollë, gruaja në Fushë Kosovë rrah keq të miturën e bën për spital

Në zënkat mes të miturve shpesh herë përfshihen edhe prindërit e tyre. Por janë të rralla rastet kur ata eskalojnë në dhunë fizike ndaj bashkëmoshatarëve të fëmijëve të tyre.

Një vajzë e mitur gjatë ditës së djeshme ka përfunduar në spital, si pasojë e lëndimeve që dyshohet se ia shkaktoi nëna e një shoqeje të shkollës.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e dyshuara pasi mori vesh se vajza e saj është zënë me viktimën, e ka sulmuar këtë të fundit fizikisht duke e goditur me grushte.

Rasti është denoncuar në Polici nga e mitura e cila në shoqërinë e babait të saj ka rrëfyer gjithë ngjarjen, teksa ka shfaqur edhe pamjet të filmuara nga momenti i sulmit.

Ndërkohë e dyshuara është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 42-vjeçares të iniciohet rasti ‘Sulm’ dhe e njëjta të ndalohet për 48 orë.

Lexo edhe:  Dronët Bayraktar testohen në Aeroportin e Gjakovës