Pasurohet arsenali i FSK-së, Maqedonci: Është bërë pagesa e parë për raketat antitank ‘Javelin’

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë me dije se është kryer pagesa e parë ndaj SHBA-së për 246 raketat antitank “Javelin”, të cilat do të shtohen në inventarin e FSK-së.

“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra është çështje e kryer, Javelin do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”,- ka deklaruar ministri Maqedonci për mediat kosovare.

Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë, ndërsa Kongresi miratoi në shkurt shitjen e tyre.

Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.

Për publikun e gjerë ky lloj armatimi u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë.

Lexo edhe:  Valon Syla paralajmëron “listë të zezë” nga Amerika për dikë nga Vetëvendosje