Pastruesi i Shtëpisë për persona me aftësi të kufizuar mendore në Vushtrri bie në kontakt me rrymën, dërgohet në QKUK
Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, në sektorë e institucione të ndryshme. Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, në Shtëpinë e Komunitetit për persona me aftësi të kufizuar mendore në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 43-vjeçar, i cili ka pësuar lëndime si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, derisa ishte duke punuar.
Siç mëson Sinjali, viktima është mirëmbajtës në këtë qendër, ku pësoi lëndime mëngjesin e së dielës dhe u dërgua menjëherë në spital.
Sipas informacioneve të para, gjendja e tij është stabilizuar, por i njëjti është transferuar në Qendrën Klinike Universitare për të vazhduar trajtimin mjekësor.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.