Pas Statovcit edhe Advyli kërkon ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Guxo, Haxhi Avdyli, është pajtuar me qëndrimin e koleges së tij, Jeta Statovci, se duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevistë.
Avdyli në një postim në Facebook ka deklaruar se greva shihet që ka pasur prapavijë politike, sipas tij, përkundër kësaj prapë mendon që pagat duhet të ekzekutohen.
“Për hir të arsimit,nxënësve arsimtarëve të ndershëm, familjeve të tyre por edhe solidaritetit me njëri tjetrin, qytetarëve që duan qetësi në institucione e cilësi në arsim, sot i bashkohem thirrjes për lëshimin e pagave për mësimdhënësit grevistë”, ka thënë ai.
Sipas tij duhet të jemi me mirëqenien e arsimtarëve të ndershëm, e që sipas tij të tillë janë shumica absolute.
“Le të mbetet mësim i mirë, për të gjithë ata që deshën të manipulojnë arsimtarët e nxënësit për agjenda politike që t’i mbajnë duart larg nga shkollat. Por sot duhet të jemi me mirëqenien e arsimtarëve të ndershëm. E që të tillë janë shumica absolute ”, ka përfunduar Avdyli.