Pas hapjes së Urës së Ibrit, Komuna pritet të vendosë edhe për xhaminë që u dogj nga serbët
Xhamia e djegur në urën së Ibrit mund t’i rikthehet Mitrovicës. Kjo mund të ndodhë në rast se Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut voton propozimin për rindërtimin e saj.
Nedzad Uglanjin, kyesues i këtij organi në komunë ka shpresa të mëdha që kjo do të ndodhë.
“Dje është dashtë të vije edhe vendimi për rindërtimin e xhamisë e cila ka qenë këtu tek ura, xhamia e vjetër, e cila është ndërtu më 1873. Tash ne faktikisht si komunitete joshumicë po jetojmë qe 23 vjet pa të drejtat e njeriut, sepse se kemi objektin religjioz”, ka thënë Nedzad Uglanjin, kryesues i KK në Mitrovicë të Veriut.
Të premten, Kuvendi komunal që udhëheq Uglanjin, mori vendim që ura e Ibrit të hapet për qarkullimin e automjeteve.
Mirëpo, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, përmes një përgjigje për Dukagjinin, kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut.
“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR.
Megjithatë, Uglanjin thotë se me vendimet e tyre, po synojnë rikthimin e normalitetit në veri.
“Tash funksionalizimi do të jetë më i fuqishëm sespe deri tash këto 5-6 muaj u përballëm me këto problemet e Kuvendit, mirëpo tash fuqizimi do të vie me zgjedhjen e kryetarit edhe funksionalizimi do të jetë shumë më i mirë”, ka thënë Nedzad Ugljanin.
Uglanjin ka thënë gjithashtu se do të ndërtojnë edhe shkollën në Kodër të Minatorëve, e cila funksionon në një objekt të improvizuar.
Vendimi i ka pëlqyer edhe Florent Lahut, që banon në afërsi të urës.
“Besoj që është një vendim i qëlluar, është dashtë qysh ma moti të merret ky vendim. Mirëpo, ne si qytetar të kësaj pjese këndej, e presim me padurim këtë vendim”, ka thënë Florent Lahu, banor i Mitrovicës.
Për mitrovicasit, është e çuditshme se si për kaq shumë kohë, ura kryesore e qytetit ka mbetur e bllokuar.
“Kjo në vakt nuk është dashtë me qenë e bllokuar. Pse të bllokohet ura? Në krejt botën urat janë për me i lidhë popujtë, tek ne me i nda popujtë. Nuk e di se ku e kanë marrë atë qëndrim ata që e kanë bërë këtë punë. Me vet ndalimin e urës e kanë bërë një ndarje, deshte apo nuk deshte”, ka thënë Ferki Tupella, banor i Mitrovicës.
“Ky është një vendim shumë i mirëpritur për ne. U duftë kaherë kësi vendimesh me marrë. Pse me e blloku rrugën? Ja vlen ky vendim dhe duhet kjo urë me u qelë”, ka thënë Beqir Ferati, banor i Mitrovicës.
Por, skeptik për zbatimin e vendimit është qytetari serb Dragan Miliç, i cili banon në pjesë veriore të Mitrovicës.
“Unë mendoj se ende nuk është koha për t’u hapur. Rrethanat politike akoma nuk janë pjekur për një gjë të tillë. Do të ketë probleme në zbatimin e kësaj sepse njerëzit nuk mendojnë njëjtë për shkak të situatës politike”, ka thënë Dragan Miliç, banor i Mitrovicës Veriore.
Kundër hapjes së urës është shprehur gjatë së premtes edhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.
Ai ka deklaruar se tash nuk është koha e duhur për një veprim të tillë.