Parashikimi i motit nga sot deri ditën e diel

Sot pritet të kemi mot kryesisht të vranët dhe nganjëherë në disa vise mund të ketë ndonjë interval kohor me diell.

Vende-vende priten reshje shiu të cilat më të theksuara do të jenë në disa zona të Dukagjinit, Drenicës dhe në veri të Republikës së Kosovës ku mund të ketë edhe ndonjë stuhi të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë orëve të pasdites ose mbrëmjes.

Temperaturat do të jenë të larta për këtë periudhë kohore për shkak të rrymimeve shumë të fuqishme ajror nga jugu.

Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot mjaft i paqëndrueshëm, ku në disa zona mund të ketë edhe intervale kohore me diell, megjithatë në shumë vise priten rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë sidomos në veri-veriperëndim të vendit dhe shumë zona në pjesën qendrore të vendit. Rrebeshe priten edhe në esktremin jugor të vendit, ndërsa në perëndim dhe juglindje mund të mos ketë fare reshje.

Rrebeshe intensive nesër priten edhe në Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë Veriore reshje shiu priten vonë pasdite dhe në mbrëmje, në veçanti në veriperëndim të vendit. Lokalisht edhe në zona tjera priten rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë.

Temperaturat e larta për këtë periudhë kohore dhe rrymimet e fuqishme ajrore nga jugu vazhdojnë edhe premten, ndërkohë që reshjet rrallohen.

Vonë në mbrëmje në Kosovë arrin fronti i ftohtë ajror me reshje shiu të cilat shumë shpejt do të shndërrohen në reshje bore. Njëkohësisht nga Mesdheu konsolidohen masat ciklonike dhe për këtë arsye reshjet e borës do të zgjasin më shumë se herave tjera. Reshjet e borës do të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovë ku menjëherë do të krijohen shtresa bore.

Lexo edhe:  “Nëse nuk i kthen fëmijët nga Franca, të vras ty dhe veten", kosovari kërcënon vëllain e ish-gruas

Gjatë së shtunës (paradite) reshjet e borës përfshijnë verilindjen e Shqipërisë dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vazhdojnë gati pa ndërprerje edhe në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe veri-qendër të Malit të Zi. Më vonë gjatë ditës reshjet e borës shtihet në pjesët tjera të Shqipërisë kontinentale dhe vazhdojnë duke krijuar shtresa edhe në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Mund të ndodhë që fjolla bore të ketë edhe në viset bregdetare në veriperëndim të Shqipërisë dhe ndoshta edhe në Tiranë mëngjesin e hershëm të së dieles.

Vende-vende, herë pas here të shtunën priten reshje të dendura bore dhe në viset kodrinore-malore mund të kemi stuhi “klasike” bore me krijimin e shtresave apo orteqeve të borës.

Të dielën reshjet pushojnë dhe pason kthjellimi i motit. Temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme, ndërsa konsolidohet masa ajrore e thatë anticiklonike. Temperaturat shënojnë rritje graduale nga e hëna./MeteoBallkan