Parashikimi i motit gjatë vikendit

Gjatë ditës së Shtunë na pret mot ndjeshëm më i ftohtë pothuajse plotësisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme lokale shiu. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme dhe si pasojë në viset më të larta malore do të ketë edhe reshje bore.

Reshje paksa më intensive në Kosovë priten në jug dhe lindje të vendit si dhe në disa nga pjesët qendrore, ndërsa në viset tjera shumë pak reshje për shkak të zhvendosjes së presionit të ulët nga Afrika veriore më në jug në Greqi dhe në lindje në Bullgari dhe Rumani ku priten stuhi të fuqishme shiu, rrebeshe shumë intensive dhe vërshime.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi të shtunën pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje lokale shiu. Rrebeshe të fuqishme shiu pritet të përfshijnë shumë zona në pjesët qendrore të Shqipërisë, pastaj në lindje e sidomos në luglindje të vendit ku mund të ketë shtrëngata të fuqishme me breshër. Rrebeshe intensive mund të ketë edhe në jugperëndim të Maqedonisë së Veriut dhe larg në verlindje të vendit. Në viset tjera priten kryesisht reshje shiu e rrebeshe lokale.

Në Mal të Zi të Shtunën pritet mot i ftohtë dhe thatë me ndonjë rigë të dobët aty këtu sikurse në veri të Shqipërisë dhe veri e perëndim të Republikës së Kosovës.

E diela vjen e freskët, me vranësira e intervale kohore me diell. Reshjet e shiut vazhdojnë në juglindje të Shqipërisë dhe Maqedoninë Veriore si dhe zonat përreth. Në viset tjera kryesisht thatë dhe freskët. Në Mal të Zi dhe gjysmën veriore të Shqipërisë edhe me diell, por freskët.

Lexo edhe:  Xhemaili ironizon Vetëvendosjen: “Shumë i padijshëm Bajqinovci, por s’keni faj që nuk doni koalicion me ne”

Temperaturat do të fillojnë të rikuperohen në fillim të javës së re, por moti nuk do të jetë tërësisht stabil, ngase priten vranësira, intervale kohore me diell dhe ndonjë rrebesh lokal shiu./MeteoBallkan