Parashikimet ‘profetike’ të qytetarëve për Kurtin, intervista e vjetër e tij për xhipat, truprojat e korrupsionin

Në rrjetet sociale është ndarë një video e një interviste të bërë nga kryeministri i sotshëm në detyrë Albin Kurti, ku ky i fundit tregonte për diskutimet që ai ka pasur me qytetarët gjatë takimeve që ka realizuar me ta.

Në intervistën që duket të jetë e vitit 2013, Kurti tregonte se qytetarët atij i kishin thënë se edhe ky, kur do të vinte në udhëheqje të institucioneve do të harronte premtimet e dhëna siç ishin një kohë bashkimi kombëtar e kundërshtimi i dialogut me Serbinë.

Lideri i Vetëvendosjes po ashtu tregonte se qytetarët atij i kishin thënë se edhe ai do të lëvize me xhipa e truproje. Gjëra këto që vetë Kurti një kohë i përdorte si arsye për t’i sulmuar kundërshtarët e tij politikë, derisa ai vetë sot vepron njësoj.

‘‘Po thuajse në çdo tubim që kam pasur me qytetarë unë jam ndeshur me njerëz të cilët me kanë thënë: ‘‘Edhe ju kur do të shkoni në institucione, do të keni truproja, do të hypni në xhipa, do të bëni biznese, do të pasuroheni, do të korruptoheni, do të braktisni fjalët për bashkim kombëtarë e për kundërshtim të Serbisë e të dialogut me të’’’’, thoshte Kurti asokohe.

Ndërsa sot, përderisa ai është kryeministër në detyrë pas një mandati të plotë qeverisës, Kurti shfrytëzon xhipat e zi e truprojat e shumta. Madje me këta të fundit ai u pa të shfaqej edhe në gjykatë dje në një rast kërcënimi që është bërë ndaj tij.

Edhe sa i përket çështjes së korrupsionit, gjatë mandatit qeverisës së Kurtit, udhëheqja e tij ka qenë shumë herë pjesë e skandaleve të shumta. Ministria e ambasadorë janë përfolur, intervistuar e janë nën hetime për afera milionëshe.

Lexo edhe:  Shkon në gjashtë numri i minatorëve të cilëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore

Kurse lidhur me bashkimin kombëtar, një kartë që Kurti dhe VV-ja e kanë përdorur shumë sa kanë qenë në opozitë, tashmë si e tillë ajo është harruar.  Madje për këtë çështjen e fundit, Kurti vetëm kur kishte ardhur në pushtet e kishte pohuar se bashkimi me Shqipërinë s’mund të bëhet për shkak të çështjeve Kushtetuese. Kjo, diçka që i është thënë atij prej vitesh porse të cilën ai se kishte pranuar.

VIDEO