Paralajmërohet rikthimi i grevës në arsim, flet Rrahman Jashari

Kryetari i Sindikatës të Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka frikë që mund të ketë rikthim të grevës.

Jasharaj për Gazetën Sinjali tha se një gjë e tillë mund të ndodh në rast se e kërkon anëtarësia e sindikatës.

“Nuk kemi paralajmëruar grevë, kemi shpreh frikën se mbase edhe mund të ndodh nëse anëtarësia e SBASHK-ut kërkon”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë, e Jasharaj pret që kjo të ndodh sot ose nesër.

E në rast se nuk ekzekutohen pagat, atëherë kreu i SBASHK-ut nuk e ka përjashtuar mundësinë e ushtrimit të padisë në Gjykatë.

“SBASHK-u do të angazhohet dhe do të përdorë të gjitha rrugët ligjore me mbrojt të drejtën e vetë. Pagat janë ndalë vetëm për sektorin e arsimit. Do ta thërrasim Këshillin Drejtues të SBASHK-ut dhe ju mbetet që ata ta thonë fjalën e vetë dhe ta pëcjellin zërin e anëtarësisë”, tha Jasharaj.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ua ka hedh fajin komunave për pagat, të cilat thotë se janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, tha Nagavci.

Theksojmë se zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një prononcim për Gazetën Sinjali ka konfirmuar se nuk do të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevist.

Lexo edhe:  Sot ndeshja ndaj Spanjës “jetë a vdekje”, ky është skenari që e kualifikon Shqipërinë