Paraburgim ndaj një personi për fajde, detyroi viktimën të paguante 40 mijë euro kamatë për një vit

Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar masën paraburgimit ndaj një personi që dyshohet për fajde.

F.G. i është caktuar paraburgimi për 30 ditë, pasi dyshohet se nga 1 shkurti i vitit të kaluar i kishte lëshuar para me fajde E.A., që ishte në gjendje të vështirë financiare si pasojë e COVID-19.

E.A. fillimisht kishte marrë 4000 euro fajde me kamatë 20 për qind në muaj, mirëpo me pamundësi për t’i paguar shumat e fajdeve ai është detyruar të marrë edhe tri herë tjera nga 2000 euro dhe një herë 6000 euro.

Pra, gjithsej ai mori 16 mijë euro, për të cilat ka paguar në emër të fajdeve nga 3200 euro në muaj. Kështu brenda një viti ka paguar shumën prej 40 mijë euro vetëm për fajde, kurse borxhi prej 16 mijë euro ka mbetur pa u paguar, siç është njoftuar në Gjykatë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Lexo edhe:  Ish-deputeti i VV-së: Albin Kurti kryeministër më i dështuar se Hashim Thaçi