Pamje nga veriu, mbi 100 policë të EULEX-it po patrullojnë në komunat veriore

Pas situatës së krijuar në veri të vendit, ku pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka rritur patrullat atje në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.


Në një përgjigje për Tëvë1, nga EULEX-i kanë thënë se që nga 16 nëntori, në komunat veriore po patrullojnë në këmbë edhe oficerët e njësisë policore të formuar të EULEX-it dhe njësisë policore të formuar rezervë.

“EULEX-i tashmë ka rritur ndjeshëm patrullat e lëvizshme të zbulimit të Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë së Formuar të Policisë Rezervë në veri të Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në mënyrë që të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komunitetet në Kosovë. Që nga 16 nëntori, në komunat veriore po patrullojnë në këmbë edhe oficerët e njësisë policore të formuar të EULEX-it dhe njësisë policore të formuar rezervë”, kanë thënë EULEX-i.

Po ashtu, nga EULEXI kanë bërë të ditur se mund të plotësojnë vetëm pjesërisht vakuumin e sigurisë që është krijuar në veri pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Sipas EULEX-it, mbi 100 pjesëtarë të tyre po patrullojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Përveç kësaj, EULEX-i monitoron situatën në pikat e përbashkëta të kalimit në Rudnica/Jarinjë dhe Bërnjak/Tabalije, duke përfshirë edhe praninë e Njësisë së Formuar të Policisë. Pjesëtarët e Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë Policore të Formuar Rezervë punojnë me turne dhe po kryejnë patrullime zbulimi 24/7. Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it përbëhet nga 105 policë polakë. Më 8 nëntor, një njësi policore e formuar rezervë e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë u dislokua përkohësisht në Kosovë për të përforcuar kapacitetet e Njësisë së Formuar Policore të EULEX-it. Më 17 nëntor, pesë policë shtesë nga Lituania arritën në Kosovë. EULEX-i mund të plotësojë vetëm pjesërisht vakumin e sigurisë që u krijua në veri të Kosovës pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Megjithatë, EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it për Tëvë1.

Lexo edhe:  Aksioni i Prokurorisë – bastiset prona e biznesmenit të njohur

Ndërkaq, Misioni i EULEX-it thotë se do të angazhohen vetëm me kërkesë të Policisë së Kosovës.

“Si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, EULEX-i mban koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës”, kanë deklaruar nga EULEX-it.