Pamje nga aksioni i Policisë së Kosovës ku u arrestuan katër persona
Me datën 23.01.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka përfshirë katër lokacione të ndryshme.
Gjatë realizimit të këtij operacioni policor, i cili ka rrjedhur pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nga Prokurori i Shtetit, të dyshuarit në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer vepra penale si: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim i rëndë trupor”, “zjarrvënie”, “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, duke u paguar kështu për këto shërbime, me qëllim të frikësimit dhe lëndimit të viktimave, ku deri më tani janë identifikuar disa viktima të cilat dyshohet se janë përcjellë për një kohë të caktuar nga ky grup kriminal. Viktimat janë të profileve të ndryshme, ku disa nga viktimat e identifikuara kanë qenë direkt të sulmuar, të cilët edhe kanë pësuar lëndime trupore.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, arrestimi i personave të dyshuar është bërë në mbështetje të Njësisë Speciale Intervistuese dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë. Të dyshuarit e arrestuar janë:
1. D. S. viti i lindjes 1980 m/kosovar
2. Xh. M. viti i lindjes 1979 m/kosovar
3. H. H. viti i lindjes 1960 m/kosovar
4. T. Sh. viti i lindjes 1973 m/kosovar
Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
• dy armë të gjata,
• katër armë të shkurtra,
• 43 fishekë,
• pesë mijë (5,000,00) euro,
• dy automjete,
• 4 telefona,
• mjete të forta.
Me vendim të prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, katër (4) të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e R. Kosovës të cilët kanë qenë apo edhe ende janë viktimë e përfshirjes së veprave penale në fjalë, të lajmërohen në Polici në stacionet më të afërta, apo edhe të kontaktojnë në linjat telefonike të bëra publike.