Pagoi me 50 euro false në një lokal, 18-vjeçari në Ferizaj arrestohet për falsifikim parash

Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Ferizaj, është arrestuar një person.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se 18-vjeçari kishte kryer pagesën e shërbimeve në një lokal në Ferizaj me një kartëmonedhë 50 euroshe që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Pasi i njëjti është identifikuar, është lokalizuar vendndodhja e tij dhe të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar edhe pesë kartëmonedha tjera nga 50 euro false.

“Me datën 28.02.2024, rreth orës 23:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në një lokal, në rrugën ‘’Bajram dhe Gursel Sylejmani’’ në Ferizaj, një person kishte kryer pagesën e shërbimeve me një kartëmonedhë të dyshuar prej pesëdhjetë (50) euro dhe ishte larguar me një veturë me targa vendore në drejtim të panjohur.

Policët hetues nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet. Pas një pune intensive në terren, grumbullimit të informacioneve dhe shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur të identifikojnë automjetin Golf VI dhe të dyshuarin A.M ( M/K) i moshës 18 vjeçar, të cilin në ora 01:30 të datës 29.02.2024 e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa i janë gjetur edhe pesë (5) kartëmonedha me nga pesëdhjetë (50) euro të dyshuara si të falsifikuara, të cilat si provë materiale janë sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar “Falsifikim i parasë’’.

Lexo edhe:  Podujevë: Ndërron jetë Agim Kodraliu